Deklatara e simpoziumit : Kalaja të mbrohet me çdo kusht

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Mbi 70 pjesëmarrës nga 15 vende të ndryshme u mblodhën në qytetin e Ulqinit për të marrë pjesë në simpoziumin ndërkombëtar për Mbrojtjen e Qëndrueshme të Kalasë Historike “Kalaja”, të organizuar nga Fondacioni Kulturor Shqiptaro-Amerikan dhe Komuna e Ulqinit. Ky simpozium ishte edhe një e mundësi e veçantë për komunitetin kulturor për të festuar njëkohësisht edhe Ditët e Trashëgimisë Evropiane 2016.

Në simpozium, më shumë se 26 ligjërues prezantuan punën e tyre akademike në ruajtjen e trashëgimisë historike dhe kulturore, dhe se si këto pasuri mund të kthehen në asete ekonomike. Pas mbylljes zyrtare të simpoziumit, u mbajt edhe një tryezë e rrumbullakët, rezultat i së cilës është deklarata e mëposhtme.

 

 

Simpoziumi Ndërkombëtar “Mbrojtja e qëndrueshme e kalasë historike “Kalaja”

Ulqin – Mali i Zi 30 shtator – 2 tetor, 2016

DEKLARATË

Për mbrojtjen e qëndrueshme të qytetit të vjetër të Ulqinit- Kalaja Duke iu referuar dispozitave të përcaktuara në dokumentat ndërkombëtar të trashëgimisë kulturore, veçanërisht Rekomandimit të UNESCO-s mbi Pejzazhin Historiko-Urban (2011), Konventës së UNESCO-s për Mbrojtjen dhe Promovimin e Diversitetit të të Shprehurit Kulturor (2005), Deklaratës Universale të UNESCOs mbi Diversitetin Kulturor (2001), Rekomandimit të UNESCO-s mbi Pjesëmarrjen e Njerëzve në Jetën Kulturore dhe Kontributin e tyre në të (1976), Rekomandimet e UNESCO-s në lidhje me Ruajtjen dhe Rolin Bashkëkohor të Zonave Historike (Nairobi 1976), Konventës së UNESCO-s mbi Mbrojtjen e Botës Kulturore dhe Trashëgimisë Natyrore (1972), Kartës Ndërkombëtare për Ruajtjen dhe Restaurimi i Monumenteve dhe Zonave Historike – Karta e Venedikut(1964), Konventës Strukturore mbi Vlerat e Trashëgimisë Kulturore për Shoqërinë (Konventa CoE Faro, 2005), Konventës Evropiane mbi Pejzazhet (2000), dhe Konventës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Arkitekturore të Evropës (Granada, 1985);

Duke pranuar teoritë dhe praktikat më të avancuara dhe më bashkohore për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, zonave urbane historike, lokaliteteve kulturore dhe natyrës në forma të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe arkitekturën, planifikimin dhe projektimin urban, ekonominë, sociologjinë, antropologjinë, arkeologjinë, filozofinë dhe legjislacionin;

Duke pasur parasysh se qendra historike e Ulqinit, një qytet i fortifikuar dhe i njohur si Kalaja, ka një trashëgimi unike nga e kaluara e gjatë, ai duhet të çmohet, ruhet dhe mbrohet nga neglizhenca, dëmtimi dhe shkatërrimi, duke përfshirë këtu edhe zhvillimin e pakontrolluar dhe pa mbikëqyrje, në mënyrë që kjo pasuri tu kalojë gjeneratave të ardhshme si një dëshmi kohore e historisë së pasur;

Duke e ditur se Kalaja nuk është një monument i pandryshueshëm, por mund dhe duhet të ruhet në mënyrë aktive dhe të zhvillohet me kujdes për të mirën e gjithë komunitetit, në mënyrë që të shmangen konfliktet që rrjedhin nga pabarazia ekonomike dhe të cilët mund të inicohen nga eksploatimi i dallimeve kulturore, e që pastaj mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e qëndrueshëm përmes shkatërrimit të trashëgimisë historike dhe kohezionit social;

Duke kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë dhe diversitetit të Ulqinit, në mënyrë që të mundësohet kalimi e tyre tek brezat e ardhshëm si një element integral i zhvillimit të qëndrueshëm; Duke qenë të vetëdijshëm se kuptimi i trashëgimisë rrjedh nga vlerat që janë të ngulitura në të dhe tek njerëzit që e zotërojnë, përdorojnë, gëzojnë, mbrojnë dhe e ruajnë;

Duke e kuptuar se zona urbane historike e Ulqinit është rezultat i një shtresëzimi kompleks historik, i vlerave kulturore dhe cilësive natyrore që shtrihen përtej kufijve të qytetit të vjetër të Kalasë, duke përfshirë këtu një kontekst më të gjërë urban dhe natyror dhe vende me një rëndësi të madhe si Valdanosi apo Kriporja, një nga ndalesat më të rëndësishme për shpendët shtegtarë, pastaj plazhet e gjata me rërë, plazhet me burime të ujit sulfurik, zonat arkeologjike, hamamet, varri i Sabatai Cevit, dhe shumë të tjera.

Ne, pjesëmarrësit e Simpoziumit Ndërkombëtar “Mbrojtja e Qëndrueshme e Kalasë Historike – Kalaja” , Ulqin, 30 shtator-2 tetor 2016

Deklarojmë:

1. Qyteti i vjetër i Ulqinit – Kalaja është në rrezik për arsyet e mëposhtme:

a. Zhvillimit të papërshtatshëm, duke përfshirë edhe ndërtimet ilegale që ndikojnë në origjinalitetin e vetive fizike, morfologjinë urbane, tipologjinë arkitekturore lokale, funksionet ekonomiko- historike, materialet tradicionale , teknikat dhe teknologjitë, si dhe veçoritë natyrore të elementeve vizuale të Kalasë.

b. Mungesa e planifikimit, mungesa e sistemit rregullator dhe menaxhimit gjithëpërfshirës, duke përfshirë këtu edhe mungesën e komunikimit të duhur në mes niveleve të ndryshëm të vendimarrjes dhe palëve të interesuara;

c. Nivelit të ulët të pjesëmarrjes së shoqërisë civile dhe aktorëve vendorë në procesin e planifikimit dhe vendimarrjes;

d. Mungesës së mjeteve të duhura dhe politikave adekuate në nivel lokal, për të garantuar ruajtjen e cilësive historike dhe valorizimin e lokaliteteve historike dhe vlerave natyrore;

e. Mungesa e një qasjeje të integruar për ruajtjen e saj;

f. Mungesa e shembujve të mirë dhe e një sistemi edukativ për pronarët, zyrtarët qeveritarë dhe ndërtuesit, në mënyrë që të njihen me pasojat afatgjata të ndërtimeve të papërshtatshme.

2. Autoritetet shtetërore të Malit të Zi, autoritetet lokale të Ulqinit, pronarët e ndërtesave në qytetin e vjetër, dhe banorët e Ulqinit, ndajnë përgjegjësi për gjendjen e qytetit të vjetër dhe duhet të dialogojnë me qëllim që Kalaja të ruhet në mënyrën e duhur.

NE I FTOJMË

Të gjithë të marrin pjesë urgjentisht në përgatitjen e një Plani të Veprimit, i cili do të përcaktojë një sërë masash të koordinuara të cilat menjëherë do të ndalojnë dëmet shkatërruese të qyteti historik, dhe të parandalojnë çdo ndryshim të mëtejshëm të kësaj pasurie historike, duke sugjeruar përparësitë e mëposhtme:

a. Studim mbi shkallën e ruajtjes së mureve fortifikues dhe monumenteve tradicional në peizazhin urban historik, duke u bazuar në studimet e publikuara më parë;

b. Të hiqen ndërtimet shtesë të cilat varfërojnë pamjen, strukturën, dhe funksionalitetin integral të Kalasë, dhe të cilat gjithashtu zvoglojnë potencialin e përgjithshëm të zhvillimit ekonomik të saj;

c. Të identifikohen palët e interesuara për menaxhimin e qëndrueshëm të Kalasë, duke pasur parasysh nevojat e tyre, kërkesat dhe gatishmërinë për të kontribuar;

d. Të përgatitet dhe zbatohet një master plan mbrojtjeje për Kalanë dhe peizazhin urban historik të Ulqinit;

e. Të përgatiten dhe aktivizohen mekanizma efikas për monitorim dhe kontrollim;

f. Të organizohen në nivel lokal iniciativa për zhvillimin e kapaciteteve ndërtimore përmes trajnimit të autoriteteve lokale, profesionistëve, mjeshtrave, ndërtuesve dhe pronarëve;

g. Të krijohen mundësi për shkëmbimin e praktikave të mira, në mënyrë që autoritetet lokale, profesionistët, mjeshtrit, ndërtuesit dhe pronarët, të kenë mundësi të mësojnë nga qendrat historike të ruajtura mirë në rajonet e përafërta;

h. Nëpërmjet një sërë aktivitetesh në hapsirat publike të ngrihet ndërgjegjësimi për rëndësinë e Kalasë, mbi rrezikun e humbjes së saj, dhe nevoja e ndarjes së përgjegjësisë së përbashkët midis të gjitha niveleve të shoqërisë

i. Hartimi dhe zbatimi i strategjive për valorizimin e zanateve tradicionale, zakoneve dhe arteve me performancë popullore, duke e adoptuar qytetin e vjetër si një skenar të privilegjuar.

j. Të planifikohet turizëm me fokus në trashëgiminë kulturore dhe turizëm kreativ, të bazuar në kapacitetin turistik të Kalasë; k. Zhvillimin e projekteve të bazuara në bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, duke përfshirë BE-në dhe fonde të tjera të parashikuara për një bashkëpunim të tillë.

l. Promovimin e qasjeve dhe mjeteve të reja sic është crowdfunding, që mund të stimulojnë një rol pro-aktiv të komunitetit.

m. Publikimin e udhëzuesëve me ilustrime për çdo ndryshim të ri në strukturat historike ekzistuese dhe për çdo ndërtim të ri të mundshëm.

3. Fondacioni Kulturor Shqiptaro-Amerikan dhe ekspertët që bashkëpunojnë me të, angazhohen për të punuar së bashku me autoritetet lokale dhe palët e interesuara në përmirësimin e mbrojtjes integrale të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të qytetit të vjetër të Ulqinit- Kalaja, dhe kontekstit më të gjerë urban të tij.

Kjo deklaratë ka për qëllim të inkurajojë reflektim të thellë në etikën dhe praktikat aktuale të menaxhimit të trashëgimisë historiko-kulturore, në mënyrë që sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen gjeneratat, si tani ashtu edhe në të ardhmen, të trajtohen sic duhet.

Mbështetur nga:

Fondacioni Kulturor Shqiptaro-Amerikan, New York

Kryetar Cafo Boga,

Komuna e Ulqinit Kryetar Nazif Cungu

 

Ligjëruesit: Acri, Marco: Kandidat për doktoraturë në Programin e Ruajtjes së Trashëgimisë, koordinator i programeve ndërkombëtare ECTAH në Universitetin e Nova Goricës dhe Universitetin IUAV të Venecies.

Bouchenaki, Mounir: Doktor i arkeologjisë, drejtor i Qendrës së Trashëgimisë Botërore Kategoria II, Qendra Rajonale Arabe për Trashëgimi Botërore (ARC WH); Ish-Drejtori i Përgjithshëm i ICCROM, dhe ish-Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s.

Bruce, David: Këshilltari Akademik i Qyteteve të Fortifikuara Evropiane, ish ligjërues për turizëm në universitetin West of England në Bristol, me diploma Master në Planifikimin e Qytetit, Ekonominë Politike dhe Historinë Moderne nga Universitetet e St. Andrews dhe Edinburg.

Dajkovic, Aleksandar: Master në arkitekturë, drejtor i përgjithshëm, Drejtoria për Trashëgiminë Kulturore, Ministria e Kulturës, Mali i Zi.

Demjaha, Bujar: Doktor i arkitekturës, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Arteve, Republika e Kosovës.

Eppich, Rand: Master në arkitekturë dhe konzervim, këshilltar për Trashëgiminë Kulturore, Spanjë

Gianighian, Giorgio: Zëvendës-Drejtor (Konzervim-Restaurim) i Qendrës Kërkimore Ndërkombëtare për Ruajtjen e Trashëgimisë Arkitektonike – IRCAHC – në Departamentin e Arkitekturës të Shkollës së Arkitekturës Detare, Inxhinjerisë Civile dhe të Oqeaneve (NAOC) në Universitetin Jiao-tong të Shangajit(SJTU), R.P. e Kinës.

Hadzimuhamedovic, Amra: Doktoraturë në arkitekturë, Universiteti Ndërkombëtar i Sarajevës; Drejtoreshë e Qendrës për Trashëgimi Kulturore – Forumi Ndërkombëtar i Bosnjes; ish-Komisionere për Ruajten e Monumenteve Kombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë, anëtare e Komitetit Ndërkombëtar Shkencor për Teorinë dhe Filozofinë e Konzervimit.

Hoxha, Gjejlane: Master në Arkitekturë dhe Konzervim, Universiteti i Dardanisë Prishtinë, Shefe e Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore.

Ibrahimgil, Mehmet: Profesor në Universitetin Gazi në Ankara, Turqi

Jokilehto, Jukka: Doktoraturë në Historinë e Konzervimit Arkitektonik, Emeritus Prof. i Qendrës Ndërkombëtare për Studimin e Konzervimit dhe Restaurimit të Pasurive Kulturore (ICCROM), Romë, Itali; Këshilltar Special i Drejtorit të Përgjithshëm të ICCROM, Profesor i jashtëzakonshëm në Universitetin e Nova Gorica, Slloveni.

Jager-Klein, Caroline: Profesoreshë në Universitetin e Teknologjisë në Vjenë dhe anëtare e ICOMOS-it Kombëtar të Austrisë, profesoreshë e Historisë së Arkitekturës dhe Trashëgiminë Arkitektonike në Universitetin për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë, Kosovë.

Kapetanovic, Aleksandra: Arkitekte dhe Konzervatore, Koordinatore e sektorit për trashëgiminë kulturore të OJQ-EXPEDITIO, Qendra për Zhvillimin Qëndrueshëm Hapsinor, Kotor, Mali i Zi

Lafe, Ols: Kandidat për doktoraturë në arkeologji, Universiteti i Tiranës, Këshilltar për trashëgiminë kulturore, Presidenca e Shqipërisë

Lama, Ulpiana: Drejtoreshë e Departamentit për bashkëpunim me orgnizatat ndërkombëtare, Ministria e punëve të jashtme, Republika e Kosovës

Lepratti, Christiano: Profesor për dizajn arkitektonik dhe urban, Universiteti i Gjenovës (Itali), ish anëtar i Unionit Ndërkombëtar të Arkitektëve, Drejtor i Programit të punës “Arkitektura për një të ardhme të përgjegjëshme “, Evropa Perendimore.

Mata, Martin: Bashk-drejtor ekzekutiv i Fondacionit Zhvillimor ShqiptaroAmerikan dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan për Sipërmarrje.

Mouton, Benjamin: Arkitekt dhe Konzervator, Shef i Monumenteve Historike, Paris, Francë.

Ost, Christian: Profesor dhe ish dekan në Shkollën ICHEC për Menaxhim në Bruksel, Qendra Konzervuese Ndërkombëtare  Raymond Lemaire, KU Leuven, Belgjikë.

Phelps, Dana: Kandidate për doktoraturë në Antropologji në Universitetin Stanford, Stanford, Kaliforni, SHBA.

Roshi, Elenita: Ekonomiste, Universiteti i Tiranës, Fakulteti Ekonomik, Shqipëri.

Rypkema, Donovan: Ekonomist i trashëgimisë kulturore, President i Heritage Strategies International,Vashington, DC.

Sabovic, Igbala: Arkitekte, Fondacioni për Monumentet dhe Zonat historike të Malit të Zi – “ELArt”M, Mali i Zi.

Simatovic, Biserka: Këshilltare e lartë, Dubrovnik, Departamenti i Sipërmarrjes, Turizmi dhe deti, Republika e Kroacisë.

Vlahovic, Dobrila: Këshilltare në Drejtorinë për Trashëgiminë Kulturore të Ministrisë së Kulturës, Mali i Zi.

Zeren, Gulersoy Nuran: Doktoraturë në arkitekturë, Univrsiteti Teknik i Stambollit, Fakulteti i Arkitekturës, Departamenti për Planifikim Urban dhe Rajonal, Stamboll, Turqi.

Share.