Çka synojnë ndryshimet e Ligjit pët vendbanim: Diaspora e huaj në vendin e vet?

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ministria e Brendshme e Malit të Zi ka përgatitur draftin e ndryshimeve të Ligjit për regjistrimin e vendbanimeve i cili pritet të ketë ndikim të madh në të drejtat qytetare të shtetasve të Malit të Zi që jetojnë jashtë vendit, por që akoma kanë adresë në Mal të Zi. Sipas ligjit aktual, personat që jetojnë jashtë shtetit nuk e kanë pasur detyrim ç’regjistrimin e vendbanimit në Mal të Zi, por kjo mundësi u është lënë si opsion, kurse me drafin e propozuar, kjo do të kthehet në detyrim. Me fjalë të tjera, ato do të humbin të drejtën e votës, por në varësi të asaj se si do të duket drafti final, mund të humbasin edhe të drejta të tjera. Nuk duhet shumë për të kuptuar se më të goditurit nga ky ligj do të jenë popujt pakicë, të cilët në emigracion kanë pjesën më të madhe të popullsisë. Lidhur me këtë çështje iu drejtuam disa përfaqësuesve të subjekteve politike shqiptare në Ulqin, të cilët kanë edhe familjarë në vendet perëndimore, dhe të cilët mund të jenë direkt të goditur nga ligji në fjalë , nëse i njëjti miratohet pa ndryshime thelbësore.

Ardian Mavriq, këshilltar i Forcës së Re Demokratike në Kuvendin e Ulqinit, i cili ka familjarë të afërt në diasporë, thotë se këto ndryshime mund të kenë ndikim të madh negativ në numrin përfundimtar të popujve pakicë, sidomos në kuadër të regjistrimit të popullsisë i cili është planifikuar për në fund të këtij viti.

Edhe Hadixhe Gjoni, nënkryetare e UDSH-së, djali i së cilës ka vite që jeton në SHBA, thotë se me këtë ligj do të goditen të gjitha familjet e popujve pakicë, dhe impakti nuk od të jetë vetëm politik, por në masë të madhe edhe ekonomik dhe social, pasi emigrantët japin një kontribut të madh në ekonominë e vendit.

Si Mavriq ashtu edhe Gjoni, konsiderojnë se prapavija e këtij ligji është politike, me pasoja të paimagjinueshme për popujt pakicë.

Disa organizata të emigrantëve shqiptarë nga Mali i Zi, kanë paralajmëruar edhe protesta lidhur me këtë tentativë të qeverisë aktuale për të ju mohuar të drejtat e tyre. Reagime me siguri do të ketë edhe më shumë gjatë procesit të shqyrtimit publik dhe pritet të shihet se cili do të jetë versioni final i draftit, pas të cilit me siguri do të ketë edhe prononcime nga subjektet politike.

 

B.Çoba

Share.