Boshkoviq perkrah kerkesat e KKSH-se per arsimin shqip

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Një delegacion i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, në krye me kryetarin Genci Nimanbegu, u takua sot në Podgoricë me ministrin e Arsimit, Predrag Boshkoviq, dhe bashkëpunëtorët e tij.

Takimi u realizua me kërkesën e KKSH-së dhe është në vazhdën e takimeve institucionale për zgjidhjen e problemeve të arsimit shqip.

 

Në takim u diskutua për shumë çështje dhe probleme me të cilat ballafaqohet arsimi në gjuhën shqipe në Mal të Zi, si programet mësimore, tekstet shkollore, me theks të veçantë në lëndët e identitetit kombëtar, përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet arsimore vendimmarrëse, realizimi i marrëveshjes së KKSH-së me Universitetin e Malit të Zi etj.

Kërkesat e KKSH-së u vlerësuan legjitime dhe të realizueshme nga ministri Boshkoviq, i cili u shpreh i gatshëm për zgjidhjen e tyre, duke theksuar se Ministria e Arsimit do t’i ketë gjithmonë dyert e hapura për kërkesat e shqiptarëve.

Dy palët u pajtuan që të punojnë së bashku për zgjidhjen e të gjitha çështjeve. Në këtë kuadër, u ra dakort që të formohet Komisioni i përbashkët, i përbërë nga përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, Entit për Shkollim, Entit për Tekste dhe Mjete Mësimore dhe KKSH-së, i cili do të propozojë dhe ofrojë zgjidhje konkrete për problemet e arsimit në gjuhën shqipe në Malin e Zi. Ministria e Arsimit pranoi po ashtu kërkesën e KKSH-së që në përbërje të Këshillt Nacional të Arsimit të jetë një përfaqësues i shqiptarëve.

Gjatë takimit, drejtoresha e Entit për Tekste dhe Mjete Mësimore, znj. Zoja Bojaniq Llalloviq, i njoftoi të pranishmit se ky institucion i ka analizuar vërejtjet e KKSH-së dhe ka marrë obligim që në tekstet shkollore në gjuhën shqipe të bëhen korrigjimet dhe përmirësimet e emrave dhe toponimeve, si dhe ka premtuar që në fillim të vitit të ri shkollat shqipe do të pajisen me disa mjete të reja didaktike mësimore.

Ministri Boshkoviq ka autorizuar z. Marash Dukaj, drejtor i Drejtorisë për Arsim të Pjesëtarëve të Popujve Pakicë dhe bashkësive të tjera kombëtare, që t’i koordinojë punët për zgjidhjen e të gjitha çështjeve dhe problemeve të arsimit shqip.

 

Share.