Borrell: Pres qasje konstruktive nga Kosova dhe Serbia

Pinterest LinkedIn Tumblr +

 

Shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia t’i qasen në mënyrë konstruktive dhe pragmatike raundit të ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Borrell, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak SOT ndërmjetësojnë takimin e dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai tha se sot do të vazhdohen bisedime për përparimin e arritur deri më tani dhe “për hapat përpara nesh dhe për mënyrën se si do ta vazhdojmë këtë dialog”. Borrell shtoi se shpreson që ky takim të jetë më i frytshëm, sa i përket rezultateve, sesa takimi i parë, që u mbajt në qershor.

E ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara. E kaluara është e rëndësishme, por ne duhet të shikojmë përpara”, tha Borrell para takimit.

Para takimit trepalësh, palët kanë zhvilluar takime të ndara me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ky do të jetë takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit. Takimi i parë mes tyre u zhvillua më 15 qershor, kur procesi i dialogut, i cili u ndërpre në shtator të vitit 2020, zyrtarisht rifilloi.

Ky do të jetë takimi i fundit i nivelit të lartë në kuadër të dialogut për pjesen e parë të këtij viti, pasi në institucionet evropiane zyrtarisht nis sezoni i pushimeve verore.

Share.