Bilanci i protestave të djeshme në Prishtinë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë protestës së djeshme ka shoqëruar në polici 22 protestues, për të cilët janë duke vazhduar procedurat e mëtejshme ligjore.

Derisa, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ka konfirmuar se si pasojë e përleshjeve mes protestuese dhe policisë, në Klinikën Emergjente ndihmë mjekësore kanë kërkuar 13 persona.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka  thënë se për 22 personat e shoqëruar në polici po vazhdojnë procedurat ligjore.

Ndërkohë, liderët e partive opozitare në Kosovë, kanë kumtuar se sot nuk do të ketë protesta në Prishtinë.

Vendimi është marrë gjatë një takimi që u zhvillua në selinë e AAK-së.

Të mërkurën, opozita ka organizuar protesta, të cilat eskaluan në dhunë, pas arrestimit të shefes së Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi të cilës i është shqiptuar masa prej 30 ditëve paraburgim.

Ndërkohë, policia është në kërkim edhe të tre deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli.

Të tre liderët opozitarë kanë rikujtuar se do të ftojnë një manifestim kundër Qeverisë së Kosovës dhe politikave të saj në dialogun me Serbinë më 28 nëntor në Prishtinë.

Share.