Albin Kurti organizon shënimin e 2 marsit-Dita e Besëlidhjes së Lezhës

Pinterest LinkedIn Tumblr +

2 marsi tek populli shqiptarë shënohet si Dita e Beslidhjes së Lezhës, kur në vitin 1444 heroi ynë kombëtarëGjergj Kastrioti Skenderbeu mblodhi prijësit krahihor arbëror dhe kjo datë merret si fillim i krijimit të shtetit t përqëndruar shqiptarë nga Skenderbeu. Këtë datë, apo 577 vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, sot e shënuan edhe disa nga figurat e shquara të politikës shqiptare, siç janë Kryeministri i ardhsmëm i republikës së Kosovës Albin Kurti, i cili edhe ishte organizatori kryesor i këtij takimi, pastaj deputeti në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi, deputeti në Maqedoninë e Veriut dhe lideri i Aleancës shqiptare Zijadin Sela, kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj dhe figura tjera të nga jeta politike dhe publike shqiptare.

Kryeministri i Ardhshëm i republikës së Kosovës Albin Kurti fjalimin e tij e postoi ne rrjetin social dhe mund ta lexoni ne teresi:

Kuvendi i Lezhës është i pari nga natyra e tij ku fisnikët dhe feudalët shqiptarë në shekullin XV në numër të madh dhe me shtrirje aq të gjerë gjeografike morën pjesë në një kuvend të përbashkët me qëllim të përbashkimit të tyre çlirimtar nga pushtuesit osmanë. Lezha kishte një pozitë të rëndësishme gjeografike dhe ishte nën zotërimin venecian, gjë që është interpretuar si ftesë e fisnikëve shqiptarë për bashkëpunim me venedikasit kundër osmanëve. Kuvendi u mbajt në Katedralën e Shën Kollit, e ku morën pjesë figura historike si: Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andre Topia, Komi, Muzaka, e Tanush Topia, Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Pjetër Spani, Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu, Lekë Dushmani, Stefan Gjurashi e të tjerë. Në fjalën e tij hyrëse, Skënderbeu, atëbotë, shtroi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit politik e ushtarak të shqiptarëve, ndërkaq pjesëmarrësit e tjerë diskutuan për rrugët dhe mundësitë e realizimit të këtij bashkëpunimi.
Kuvendi u institucionalizua si forumi politik më i lartë i vendimmarrësve, i fisnikëve shqiptarë, dhe mbahej herë pas here. Bashkimi u vendos të bëhej përmes një besëlidhjeje politike ndërmjet zotëruesve të tokave të lira e të papushtuara, e që u njoh si Besëlidhja Shqiptare e Lezhës. Kryetari i Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës ishte Skënderbeu. Në Kuvendin e Besëlidhjes u miratua krijimi i një ushtrie të përbashkët shqiptare dhe Skënderbeu u caktua si komandant i përgjithshëm i saj. Ushtria formohej nga forcat e përhershme dhe ato të përkohshme. Forcat e përhershme ishin luftëtarët që fisnikët shqiptarë i dërgonin të luftonin së bashku me Skënderbeun, ndërkaq forcat e përkohshme thirreshin atëherë kur kishte luftime aktive me osmanët.
Besëlidhja kishte arkën e saj të përbashkët, në të cilën përpos që kontribuonin fisnikët, të hyrat qarkullonin edhe nga fitimet e kriporeve të Shën Kollit, që ishin në pronësi të Kastriotëve nga taksat doganore, nga tregtia e drithit dhe e metaleve. Përmes Besëlidhjes, fisnikët shqiptarë synonin ta ruanin mëvetësinë e tyre nga osmanët, ndërkaq ata udhëhiqnin me parimin se megjithëse Skënderbeu ishte kryetar i Besëlidhjes, asnjëri nuk kishte të drejtë të ndërhynte në zotërimet e tjetrit. Nga ky parim buron shprehja lidhur me këtë ngjarje historike ‘i pari ndër të parët’, në lidhjen e besës së Lezhës për fisnikët dhe trojet arbënore.
Sot, më 2 mars, teksa shënojmë përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, të besëlidhjes që është akt politik, publik e kolektiv i besatimit, i lidhjes së dëshirës së përbashkët me veprimin e secilit, ne duhet të mendojmë e të veprojmë duke menduar se si do të mendonin e vepronin nga Skënderbeu te rilindasit tanë dhe deri tek luftëtarët e dëshmorët në veçanti, të luftës së fundit në Kosovë. Pra, duhet të ndjekim pishtarin që është bartur përgjatë historisë nga brezi në brez, ashtu që populli shqiptar kudo që është të faktorizohet, t’i nxjerrë përfaqësuesit e tij më të mirë e më të devotshëm, dhe, në këtë mënyrë, krizën e shumëfishtë që e ka pllakosur ta zëvendësojë me çlirim, me bashkim, me zhvillim e me përparim të gjithanshëm. Sot, këtu te flamuri kombëtar shqiptar dhe te Besëlidhja e Lezhës, i përulemi me nderim të përjetshëm dhe zotohemi për angazhim njashtu të përjetshëm, heroit tonë kombëtar Skënderbeut dhe të gjithë luftëtarëve shqiptarë në të gjithat epokat e kombit tonë.
Kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj në fjalimin e rastit tha se ndjen kënaqësi të veçantë në mesin e shqiptarëve nga të gjitha trevat etnike shqiptare për të shënuar këtë ngjarje me vlera kombëtare. “Gjuha, kultur, flamuri,janë trimnia jonë e shenjtë që duhet të përciellim edhe te gjeneratat tona të ardhshme dhe të ruhen me dinjitet, se vetëm në këtë mënyre etnosi shqiptarë do të ruhet e trashëgohet përherë. Unë vij nga një trevë që edhe pse jemi ndarë fizikisht nga trungu shqiptarë, në çdo periudhë me vepra e ka dëshmuar që është pjesë e pandarë e kombit shqiptarë”, shtoi ndër të tjera Gjeloshaj.

Deputeti në Parlamentin e Serbisë dhe zë i fuqishëm i shqiptarëve të Luginës së Preshevës Shaip Kamberi tha:

Si ngjarje themeltare e historisë sonë, Lidhja e Lezhës është padyshim referencë e sotme për të ardhmën. ​
Para më se pesë shekuj, në këtë vend, menduan qëllime dhe morën vendime aktuale edhe sot.
Çlirim nga pushtuesi, Unifikim i forcave vendore, Bashkëpunim me vendet e tjera progresive dhe Demokraci përmes kuvendimit me një prijës si «​ i parë midis të barabartëve​ ».
E kush më shumë se shqiptarët e Luginës së Preshevës, vuajnë sot më shumë nga mungesa e jetësimit të qëllimeve dhe idealeve të Besëlidhjes së Lezhës.
Të shtypur dhe të diskriminuar nga shteti i Serbisë. Të harruar ose instrumentalizuar nga politikanët në Tiranë dhe në Prishtinë.
As Rënia e Murit të Berlinit, as shpërbërja e Jugosllavisë dhe as rënia nga pushteti i Sllobodan Millosheviqit nuk përmirësuqn gjendjen shoqërore dhe pozitën politike e juridike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, megjithë Referendumin e tyre më 1 dhe 2 mars 1992 dhe kryengritjen e tyre të armatosur më vitin 2001.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk po trajtohen si shtetas dhe qytetarë të barabartë, megjithë procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian i cili i ka mbyllur sytë ndaj politikës autoritare, anti-minoritare dhe anti-shqiptare, të pushtetit absolut të Aleksandër Vuçiqit.
Përderisa jemi tubuar sot për ta shënuar përvjetorin e kësaj ngjarje historike, dje në Luginën e Preshevës është ngritur edhe një padi gjyqësore nga shteti serb ndaj një politikani shqiptar për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar. Para pak ditësh, gjykata serbe ka legalizuar përdorimin​zyrtar dhe publik të termit racist dhe fyes për shqiptarët. E po paralajmërohet edhe shkrimi “shtetëror” i historiografisë zyrtare serbe në tekstet shkollore, për glorifikimin e kriminelëve të luftës që kryen krime ndaj shqiptarëve dhe kombësive të tjera joserbe në luftërat e ish-Jugosllavisë.
Nën fatin e Serbisë së qeverisur sot nga ish-bashkëpunëtorët e Sllobodan Millosheviqit dhe Vojisllav Sheshelit, të përkëdhelur nga kryeqendrat perëndimore në emër të stabilokracisë, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë çdo ditë më të paktë demografikisht, por më të shumtë partiakisht.
Janë pa fajin e tyre më së shumti larg qëllimeve dhe idealeve të Besëlidhjes së Lezhës. Të paçliruar nga shtypja, të paunifikuar drejt një ideali të përbashkët, të papërfillur nga faktorët e jashtëm progresiv dhe pa kuvendim me Tiranën dhe Prishtinën. ​ ​
Kësisoj, Lugina e Preshevës është ndoshta sot e vërteta që thërret të gjithë ata dhe ato që kanë Besëlidhjen e Lezhës për ngjarje themeltare, qofshin ata në Tiranë, Prishtinë, apo në Bujanoc e gjetiu. Për ta lidhur “besën për shpëtim”!
Pjesë nga fjalimi i deputetit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut Zijadin Sela:
“Kjo ditë është kaq e rëndësishme sepse në qoftë se periudhën për të cilën flasim ishte periudha e lavdisë së shqiptarëve, lavdi të cilën e ndërtoi me shumë mund e sakrificë, Skënderbeu, Gjergji ynë i dashur, Kuvendi i Lezhës është mesazhi që u la shqiptarëve për të ardhmen. Ishte ky Kuvend, ai i cili e ndërtoi edhe Lidhjen e Prizrenit dhe ishte Lidhja e Prizrenit, që hodhi gurthemelin dhe idetë themelore të një shteti shqiptar të mëvetësishëm. Kështu ndodh çdoherë në histori. Të mëdhenj janë ato njerëz që japin ideja të cilat janë akoma më të mëdha se sa vetë ata. Skënderbeu ishte lis i madh për ne, i cili prodhoi një identitet kombëtar shqiptar, simbolet e të cilit sot e kësaj dite, i gëzojmë ne të gjithë shqiptarët nëpërmjet shqiponjës dykrenare.
Natyrisht që i madh ishte edhe Ismail Qemali sepse akoma më e madhe ishte ideja e tij për një shtet të pavarur shqiptar. Ashtu siç liria ishte ide e madh e Adem Jasharit. Prandaj, liria që sot ka Kosova ja shton ende më shumë madhështinë Adem Jasharit. Kuptohet që unë, veten e llogaris në mesin e atyre shërbëtorëve të përulur që këtë amanet do të duhet ta çojmë deri në fund sepse në fund të fundit, Besëlidhja e Lezhës është këtu, Lidhja e Prizrenit është gjallë, asht siç duhet të jetë edhe ideja të cilën e transmetuan të gjithë këta burra e gra të mëdhenj shqiptarë e që ne duhet ta transmetojmë tek gjeneratat e ardhshme të shqiptarëve.”
Share.